Leonardo di ser Piero da Vinci (origj. Leonardo da Vinci i njohur edhe
si Da Vinci ose Leonardo) lindi më 15 prill 1452 në Ankiano të Vinçit; vdiq më 2 maj 1519 në Kështjellën e Cloux (Kluks) të Ambuazit. Ishte arkitekt i
famshëm, shpikës, inxhinier, piktor e skulptor italian
i Rilindjes.
Babai i tij Ser Piero da Vinci ishte noter ndërsa e ëma Katerina një fshatare.
Si
piktor (vizatues), ishte nxënës i Verrocchios,
në shitoren e të cilit njohu bashkënxënësin Lorenzo di Credi (Lorenco di
Kredi), që shquhej për stilin e tij të hijshëm me vija të prera e të sakta.
Këto mënyra të di Credi-t ndikuan te Leonardoja, por më pas ishte radha e
Lorencos të mësonte nga Leonardo. Ai është një ndër humanistët më të
mëdhenj ne kategorinë e artit. Da Vinçi mund të mendohet si një kryetip i njeriut të rilindjes dhe është
përcaktuar shpesh si një gjeni, për shkak të shkëlqimit të tij në të gjitha
fushat e artit, për zbulimet e tij shkencore dhe shpikjet teknike, që duken një
përparim i madh në krahasim me kohën e tij.
Leonardoja
dijetar u injorua nga studiuesit bashkëkohanikë të tij. Ai ishte i magjepsur
nga fluturimi. Bëri studime të hollësishme mbi fluturimin e zogjve dhe
projektoi makina të ndryshme fluturuese, përfshirë edhe një helikopter që vihej në lëvizje nga katër njerëz
(që nuk do të mund të kishte fluturuar sepse do të ishte rrotulluar rreth
vetvetes) dhe një deltaplan por që ky do të kishte mundur të
fluturonte.
Mori pjesë
në shumë autopsi duke bërë një numër të skicimeve anatomike tejet të hollësishme, duke projektuar
një studim të plotë të anatomisë njerëzore e krahasore.
Leonardo
shfrytëzoi në veçanti këto dituri anatomike (mbase më të thellat e kohës së
tij) qoftë në fushën artistike ashtu edhe në mekanikë: është i tiji
projekti i parë i dokumentuar mbi një robot humanoid (si-njeri) rreth viteve 1495. Shënime të
rizbuluara në vitet 1950 në kodikun atlantik dhe në libërtha shënimesh xhepi që
datojnë rreth 1495 - 1497 tregojnë skicime të hollësishme mbi një kalorës
mekanik, që ishte me sa duket në gjendje të ngrihej në këmbë, lëvizte krahët,
kokën dhe nofullat, duke nxjerrë tinguj nga goja (falë një mekanizmi të
përparuar goditës të vendosur në lartësinë e gjoksit). Kalorësi robot i
Leonardos ishte parashikuar ndoshta për t´i dhënë shpirt një prej festave të
Dukës së Milanos, sidoqoftë nuk dihet se është realizuar ndonjëherë.
Në vitin 1502 Leonardo da Vinçi bëri një skicim të
një ure me një shtrirje prej 240 metrash, si pjesë e një projekti të
inxhinierisë civile për Sulltanin osman Beyazid II.
Parashikohej
që ura të vendosej në grykën e Bosforit e njohur si Briri i Artë por nuk u ndërtua kurrë. Vizioni i da
Vinçit u ringjall në vitin 2001 kur një urë më e vogël, bazuar mbi
skicimet e tij, u ndërtua në Norvegji.
Por,midis
projekteve të realizuara, është porti-kanal i Cesenatico (Çesenës),vendi i njohur turistik sot
në krahinën e Forli-Cesena, rreth 35 km
nga qendra e Forlit.
Shënimet e tij
përmbajnë një numër të madh shpikjesh në fushën ushtarake: mitraloz dhe
"tanke" të lëvizura nga njerëz apo kuaj, bomba copëtuese, etj.
Edhepse kishte bindjen se lufta është veprimtaria më e keqe njerëzore.
Shpikje të
tjera përfshijnë nëndetëset, parashutën, biçikletën,
një aparat me rrota të dhëmbëzuara (njehsori i parë
mekanik), një automobil (vetëlëvizës) shtyrë nga një mekanizëm
me sustë dhe një tezgjah automatik i cili u ndërtua së fundi nga muzeu kombëtar
i shkencës dhe i teknikës dhe prodhon 2 cm pëlhurë në minutë.
Në vitet
që pasuan ai demonstroi në Vatikan një përdorim industrial të energjisë
diellore, nëpërmjet përdorimit pasqyrave konkave për ngrohjen e ujit.
Leonardo
besonte se dielli dhe hëna silleshin rreth tokës dhe se hëna
pasqyronte dritën diellore sepse ishte e mbuluar me ujë.
Leonardo nuk
botoi as i shpërndau përmbajtjet e shënimeve të tija. Ata mbetën të fshehura
deri në shekullin XIX dhe nuk patën asnjë vlerë të drejtpërdrejtë për
zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë deri në kohët tona. Mbi këto baza
shkrimtari L. Sprague de Camp, në
librin e tij "Inxhinierët e
lashtësisë", e mendon Leonardon jo të parin e inxhinierëve modernë
sesa "të fundit të atyre të lashtësisë", duke saktësuar se pas kohës
së Leonardos filloi praktika e përhapjes dhe botimit të zbulimeve shkencore.
Në vitin 1994, një prej librave të
shënimeve të Leonardos, i ashtuquajturi "Codice Hammer" (ex
Leicester), u ble nga industrialisti amerikan Bill Gates për 25 milionë dollarë. Por shumë nga
skicimet e da Vincit janë sot pronë e familjes mbretërore britanike.
No comments:
Post a Comment